Në organizim të Kryetarit të Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, u shfaq premiera e filmit dokumentar “Plavjanët nuk u dorëzuan”.
Ky dokumentar solli rrëfime autentike të dëshmitarëve të gjallë dhe pamje reale nga ngjarjet e dhimbshme të shtatorit 1998, të përjetuara nga mijëra shqiptarë të Dukagjinit dhe Kosovës.
Filmi pasqyron “luftën titanike” për mbijetesë përballë dhunës së forcave ushtarake e policore serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe rolin vendimtar të plavjanëve dhe forcave progresive të Malit të Zi në parandalimin e një masakre të përmasave të “Srebrenicës së dytë”.
Një vend qendror në këtë kronikë zë fshati Meteh i Plavës, ku mijëra shqiptarë u ndaluan me synimin për t’u ndarë meshkujt nga gratë e më pas për t’u ekzekutuar, por falë guximit dhe solidaritetit të plavjanëve, kjo u parandalua.
Autorët e filmit dokumentar janë, z.Zekë Sinanaj dhe z.Islam Haxhiu.
Komuna e Pejës i falënderon të gjithë ata, të cilët kanë dhënë kontribut në realizimin e këtij dokumentari me vlerë historike dhe humane.












