Në sallën e takimeve të Kuvendit të Komunës së Pejës u mbajt Seanca Inauguruese e Kuvendit, e cila u udhëhoq nga anëtarja më e vjetër, znj.Dritë Lokaj-Maloku. Në një atmosferë solemne dhe në praninë e shumë mysafirëve, anëtarët e rinj të Kuvendit të Pejës dhanë betimin dhe nënshkruan deklaratat për marrjen e detyrës për mandatin 2025–2029.Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri u betua se do t’i kryejë detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat si Kryetar i Komunës me nder, besnikëri, paanshmëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë, që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë qytetarët.
Ai falënderoi të gjithë qytetarët, që e votuan fuqishëm për mandatin e katërt, duke theksuar se do të jetë Kryetar i të gjithëve dhe do ta kryejë detyrën me nder, ashtu si në 12 vitet e kaluara.
Na mbeten shumë punë të mëdha për qytetin e Pejës dhe besoj se në këtë katërvjeçar do të arrijmë të krijojmë kushte edhe më të mira për të gjitha shtresat e shoqërisë dhe për qytetin tonë. Mirupafshim në betimin tim të pestë. Në vijim të seancës u propozua zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit. Pas procedurave të votimit, me shumicë votash për mandatin katërvjeçar u zgjodh Kryesues i Kuvendit Komunal të Pejës, z.Rexhep Kurtbogaj.Pas zgjedhjes, z.Kurtbogaj i falënderoi për besimin e dhënë, duke theksuar se do të jetë i përkushtuar, profesional dhe përgjegjës në ushtrimin e këtij funksioni.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Kryetarit të Komunës është thelbësor për realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve dhe të qytetit të Pejës. Urime të gjithëve!
Komuna e Pejës shpreh mirënjohje për pjesëmarrjen dhe angazhimin, si dhe rithekson përkushtimin e institucioneve komunale për të vazhduar punën me profesionalizëm, përgjegjësi dhe në të mirë të qytetarëve të Pejës.


































































































