Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri priti në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z.Rainer Rudolph.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe respekti të ndërsjellë, duke reflektuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet institucioneve dhe popujve tanë.
Me këtë rast, Ambasadori Rudolph e uroi Kryetarin Muhaxheri për mandatin e tij të ri, duke i dëshiruar suksese në vazhdimin e angazhimeve për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Pejës.
Po ashtu, Kryetari Muhaxheri e uroi Ambasadorin Rudolph për marrjen e detyrës së tij, që nga tetori i vitit 2025, duke i dëshiruar shumë suksese në misionin e tij diplomatik në Kosovë.
Gjatë takimit u ritheksua gatishmëria e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit, forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.






