Me qëllim të informimit të qytetarëve dhe palëve të interesit për rolin, mandatin dhe rëndësinë e auditimit publik, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur kampanjën vetëdijësuese “Auditimi në shërbim të qeverisjes së mirë – Roli dhe ndikimi i ZKA-së”.
Kjo kampanjë do të zhvillohet në disa qytete të Kosovës, përfshirë Pejën, Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin, Gjilanin dhe Mitrovicën e Jugut.
Aktivitetet e para të kampanjës u zhvilluan në Pejë, me një agjendë gjithëditore.
Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri priti në takim Auditoren e Përgjithshme, znj.Vlora Spanca, Zëvendësauditorin e Përgjithshëm, z.Bezad Halilaj, si dhe Drejtorin e Auditimit, z.Faruk Rrahmani.
Gjatë takimit u diskutua për rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë në nivel lokal, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Pas takimit zyrtar, aktivitetet vazhduan me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Në kuadër të këtij aktiviteti, nxënësit u njoftuan me rolin dhe rëndësinë e auditimit publik. Temën “Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Auditimi Publik në Kosovë” e prezantuan Drejtori i Auditimit, z.Shkëlqim Xhema dhe Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Raportim, z.Muhamet Balaj.
Aktiviteti u pasua me shfaqjen e një videoje informuese dhe një bashkëbisedimi të hapur me nxënësit. Qëllimi i kampanjës është rritja e vetëdijes së të rinjve mbi rëndësinë e auditimit publik dhe rolin e tij në ndërtimin e institucioneve transparente dhe të përgjegjshme.
Po ashtu, në sheshin e qytetit të Pejës u organizua një takim informues me qytetarët, ku u prezantua roli dhe ndikimi i auditimit publik, si dhe u diskutua rëndësia e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisjen lokale.

















