Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Zyra për Barazi Gjinore e Komunës së Pejës, udhëhequr nga znj.Samka Drançolli, organizoi një aktivitet të veçantë në Qendrën Korrektuese në Lipjan për gra dhe vajza, me qëllim të shënimit të kësaj dite përmes një programi motivues dhe mbështetës për gratë dhe vajzat e burgosura.
Aktiviteti solli momente reflektimi, inspirimi dhe mirëqenie, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit dhe rehabilitimit.
Programi përfshiu disa aktivitete me karakter edukues dhe motivues:
Shfaqje filmash dokumentarë nga Organizata Art Without Limit, me drejtoreshë ekzekutive znj.Ganimete Sava, të cilët sollën histori inspiruese dhe mesazhe motivuese për pjesëmarrëset.
Gjatë këtij sesioni, ajo ndau edhe një rrëfim personal shumë prekës, duke treguar se pas një aksidenti të rëndë arriti të rikthehej me forcë në jetën aktive dhe të vazhdonte rrugëtimin e saj me vendosmëri.
Ky rrëfim u prit me emocion dhe shërbeu, si një mesazh i fuqishëm shprese dhe motivimi për gratë dhe vajzat e pranishme.
Ligjëratë tematike nga znj.Hava Shabanaj, zyrtare e lartë nga Qendra e Paraburgimit, mbi dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, duke ofruar njohuri profesionale dhe duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për viktimat.
Sesion motivues dhe mentorues nga znj.Maria Berishaj, anëtare e bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, i fokusuar në forcimin e vetëbesimit, motivimin dhe zhvillimin personal.
Yoga dhe mirëqenie nga Zana’s Yogalate, nën udhëheqjen e instruktores, znj.Syzana Baja, duke ofruar një moment relaksi fizik dhe emocional për pjesëmarrëset.
Në shenjë respekti dhe vlerësimi për gratë dhe vajzat, znj.Samka Drançolli, së bashku me bashkëpunëtorët e aktivitetit, dhuruan karanfilë me mesazhe motivuese nga Zyra për Barazi Gjinore e Komunës së Pejës, si dhe dhurata artizanale të përgatitura nga znj.Ardita Kastrati – Eko Mjalta.
Faleminderit drejtorit, z.Ylber Topalli, stafit të Qendrës, si dhe grave dhe vajzave të burgosura për mikpritjen dhe bashkëpunimin e tyre gjatë këtij aktiviteti.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për bashkëpunëtorët, që iu bashkuan këtij aktiviteti në mënyrë vullnetare dhe humanitare, duke dhënë kontributin e tyre për ta bërë këtë ditë më kuptimplotë.
Ky aktivitet pasqyron përkushtimin e Zyrës për Barazi Gjinore të Komunës së Pejës për promovimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe mbështetjen e proceseve të rehabilitimit dhe riintegrimit.
Po ashtu, edhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe solidaritetit shoqëror në krijimin e iniciativave, që kontribuojnë në përmirësimin e jetës dhe perspektivës së grave dhe vajzave.







