Festivali “Open Day Festival”, një format i ri i organizuar nga DKRS dhe LDA-ALDA, u mbajt me rastin e 22 Prillit – Ditës Botërore të Tokës.
Nën mesazhin se Toka është planeti ynë dhe shtëpia jonë e përbashkët, ky aktivitet synoi të promovojë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, duke e ndërthurur atë me vlerat kulturore dhe shpirtërore të komunitetit.
Në Pejë, kjo ditë u shënua përmes një programi të pasur, i cili reflektoi diversitetin e vlerave shpirtërore, trashëgiminë kulturore, artizanatin, artin e baletit, si dhe promovimin e recetave tradicionale pejane.
Të gjitha këto aktivitete u zhvilluan në Galerinë e Arteve, një hapësirë e rëndësishme që përfaqëson një nga qendrat më të pasura të dialogut kulturor në vend.
Ky festival përbën një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërkulturor dhe promovimit të identitetit lokal, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së ndërgjegjësimit qytetar.



