Në sallën e Kuvendit të Komunës së Pejës, u mbajt takimi i përbashkët me përfaqësuesit e shoqërisë civile për propozimin e anëtarëve në komisionet e Kuvendit Komunal të Pejës.
Takimi u organizua në përputhje me ftesën publike të Kuvendit Komunal, me qëllim të përfshirjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse dhe garantimin e transparencës në procedurat, që lidhen me menaxhimin dhe shfrytëzimin e pronës komunale.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit propozuan anëtarët nga shoqëria civile për këto komisione:
1.Komisioni vlerësues për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme komunale, përkatësisht objektit të Teatrit “Istref Begolli”, me nr. 2294-0, me sipërfaqe prej 71 m², në Zonën Kadastrale Pejë, i cili është i destinuar për qiradhënie. Anëtar nga shoqëria civile është propozuar, z.Bejhan Krasniqi.
2.Komisioni vlerësues për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme komunale – parcelës me nr. 302-3, me sipërfaqe prej 1012 m², në Zonën Kadastrale Novosellë, e cila është e destinuar për dhënie në shfrytëzim me qëllim të revitalizimit të objektit. Anëtar nga shoqëria civile është propozuar, z.Agim Haxhijaj.
3.Komisioni vlerësues për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme komunale – parcelës komunale nr. 4560-23, pronë komunale me sipërfaqe prej 6735 m², në Zonën Kadastrale Pejë, e cila është e destinuar për dhënie në shfrytëzim përmes procedurave të këmbimit dhe shpronësimit. Anëtar nga shoqëria civile është propozuar, z.Jakup Lajqi.
4.Mbi formimin e Komisionit të Ankesave të palëve në procedurën e dhënies në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë të pronës së paluajtshme komunale. Anëtar nga shoqëria civile është propozuar, z.Nexhat Miroci.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, z.Rexhep Kurtbogaj dhe Drejtori për Çështje Pronësoro -Juridike në Komunën e Pejës, z.Arianit Krasniqi i falënderuan përfaqësuesit e shoqërisë civile për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë proces.






