Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Pejës, Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri i priti grupet e fëmijëve pjesëmarrës në Festivalin Ballkanik, të cilët po marrin pjesë në programin festiv të organizuar në qytetin e Pejës.
Në fillim të takimit, të gjithë fëmijët pjesëmarrës realizuan një fotografi të përbashkët me Kryetarin Muhaxheri në sheshin “Skënderbeu”.
Kryetari Muhaxheri u dëshiroi mirëseardhje fëmijëve, udhëheqësve të grupeve dhe mysafirëve nga vende të ndryshme, duke vlerësuar rëndësinë e këtij festivali në promovimin e miqësisë, bashkëpunimit kulturor dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet të rinjve.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj.Xhenet Syka theksoi se Peja mbetet një qytet i hapur për kulturën, artin dhe aktivitetet, që bashkojnë fëmijët e rajonit.
Aktivitetet vazhduan me marshimin e fëmijëve pjesëmarrës përgjatë Shtegut Kulturor në Pejë, për të kulmuar me koncertin festiv për fëmijë në sheshin “Skënderbeu”.





