Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri dhe në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport është shënuar me madhështi 27-të vjetori i Çlirimit të Pejës.
Nën tingujt e himnit shtetëror, flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit me krenari nga Komandanti i Stacionit të Policisë në Pejë, z.Faik Jahmurataj.
Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri me bashkëpunëtorë në shenjë nderimi për të gjithë ata, që kanë rënë për lirinë e vendit, mbajtën një minutë heshtje dhe vendosën kurora me lule.
Në kuadër të shënimit të 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Pejës, Muzeu i Pejës do të jetë i hapur për vizitorë gjatë kësaj dite të veçantë.
Në ora 18:00, në Galerinë e Arteve në Pejë hapet ekspozita personale “Singulariteti” e artistit Gëzim Muriqi, nën kurimin e Skender Boshtrakajt.
Në ora 19:00, në sheshin “Skënderbeu” mbahet manifestimi qendror, me një program artistik nga Orkestra e Dukagjinit dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, që do t’i shtoi vlerë artistike dhe kulturore këtij manifestimi të rëndësishëm për qytetin.
Në kuadër të aktiviteteve zyrtare për shënimin e Ditës së Çlirimit të Pejës, Komuna e Pejës organizon një ceremoni solemne të ndarjes së titujve të nderit, dekoratave dhe mirënjohjeve, si shprehje e vlerësimit institucional për kontributin e jashtëzakonshëm të personaliteteve dhe institucioneve në dobi të qytetit dhe shoqërisë.
Urime Dita e Çlirimit të Pejës!

































