Në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës u mbajt takimi i parë publik me qytetarë për vitin 2026, ku të gjithë të interesuarit patën mundësinë të informohen drejtpërdrejt nga Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri.
Gjatë këtij takimi u diskutuan çështje të rëndësishme, që janë në kompetencat e pushtetit lokal dhe për të cilat qytetarët kanë shprehur interesim, si: puna dhe prioritetet e Komunës së Pejës, buxheti, infrastruktura rrugore dhe komunale, shërbimet administrative komunale, si dhe tema të tjera me rëndësi për komunitetin.
Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri prezantoi Raportin e Punës për periudhën janar–qershor 2026.
Pas prezantimit, u zhvillua një bashkëbisedim i hapur, gjatë të cilit qytetarët parashtruan pyetje dhe kërkesa lidhur me projektet, që prekin komunitetin e tyre, duke marrë përgjigje të drejtpërdrejta nga Kryetari Muhaxheri.
Rëndësi e veçantë iu kushtua pjesëmarrjes aktive të qytetarëve, të cilët dhanë kontributin e tyre përmes ideve dhe sugjerimeve konkrete, duke ndihmuar në avancimin e punës së institucioneve komunale.
Pjesëmarrja e qytetarëve në këtë takim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e demokracisë lokale, ku një nga parakushtet kryesore mbetet përfshirja aktive e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes.




