Në Bibliotekën Rajonale “Azem Shkreli” në Pejë, u mbajt promovimi i librit “Mikelin”, i autores malteze znj.Sandra Hili Vassallo, me ilustrime nga znj.Susanna Rumiz.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj.Xhenet Syka, Ambasadorja e Maltës në Republikën e Kosovës, znj.Juliana Scerri-Ferrante, Drejtoresha Ekzekutive e Bibliotekës Kombëtare të Maltës, znj.Cheryl Falzon, delegacioni nga Komuna e Ta’ Kercen – Gozo, Kryetari i Komunës, z.Mario Azzopardi, Nënkryetarja, znj.Eibigel Michael, Kryeadministratorja, znj.Mariane Dafina, përfaqësues të institucioneve, dashamirë të librit, nxënës, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me autoren dhe veprën e saj.
Gjatë promovimit, autorja Sandra Hili Vassallo prezantoi librin “Mikelin”, duke folur për frymëzimin, procesin krijues dhe mesazhet, që përcjell vepra.
Në bashkëbisedimin me të pranishmit u theksua rëndësia e letërsisë si urë lidhëse mes kulturave dhe si mjet për promovimin e dialogut dhe mirëkuptimit.
Libri u vlerësua edhe për ilustrimet artistike të Susanna Rumiz, të cilat i japin veprës një dimension të veçantë estetik.
Promovimi i librit “Mikelin” është një dëshmi e bashkëpunimit të mirë kulturor ndërmjet Kosovës dhe Maltës, duke forcuar miqësinë dhe shkëmbimin e vlerave përmes letërsisë, artit dhe dialogut kulturor.











