Në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës, në ora 18:00, u mbajt dëgjimi publik me banorët e fshatrave të Rugovës.
Qëllimi i këtyre dëgjimeve publike është prezantimi i Projekt-Buxhetit të Komunës së Pejës për vitin 2027 dhe ofrimi i mundësisë, që qytetarët të paraqesin propozimet, komentet dhe rekomandimet e tyre, të cilat do të shqyrtohen gjatë procesit të hartimit dhe finalizimit të buxhetit.
Në këtë dëgjim kanë qenë të pranishëm Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, z.Rexhep Kurtbogaj, Drejtori për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës, z.Agron Nikçi, Drejtoresha për Buxhet dhe Financa në Komunën e Pejës, znj.Diellëza Berisha dhe Drejtoresha për Administratë në Komunën e Pejës, znj.Nita Panduri Mullarama, të cilët po tregojnë transparencë ndaj qytetarëve dhe kërkesave të tyre.
Drejtoresha për Buxhet dhe Financa, znj.Diellëza Berisha theksoi se bazuar në Kornizën Afatmesme Buxhetore të Qeverisë, buxheti i ndarë për Komunën e Pejës për vitin 2027 është 44,119,678.00 milionë euro.
Kjo shumë është e ndarë në pesë kategori buxhetore, siç janë:
Paga dhe mëditje: 21,481,142.49;
Mallra dhe shërbime: 4,985,490.00;
Shpenzime komunale: 1,157,240.00;
Subvencione dhe transfere: 1,930,626.00;
Shpenzime kapitale: 14,565,179.51;
Komuna e Pejës ende nuk e ka pranuar Qarkoren e Dytë Buxhetore, e cila pritet të sjellë të dhëna shtesë dhe mund të ndikojë në finalizimin e Projekt-Buxhetit për vitin 2027.
Dëgjimet publike për Projekt-Buxhetin e Komunës së Pejës janë organizuar nga Grupi Punues për Planifikimin e Buxhetit 2027–2029, në bashkëpunim me Drejtorinë për Buxhet dhe Financa.
Takimet për dëgjimet buxhetore do të vazhdojnë dhe janë duke u evidentuar të gjitha kërkesat e qytetarëve.






