Janë mbajtur dëgjimet buxhetore me banorët e fshatrave të Lugut të Baranit dhe të Leshanit, lidhur me Projekt-Buxhetin e Komunës së Pejës për vitin 2027.
Qëllimi i këtyre dëgjimeve publike është prezantimi i Projekt-Buxhetit të Komunës së Pejës për vitin 2027, si dhe ofrimi i mundësisë, që qytetarët të paraqesin propozimet, komentet dhe rekomandimet e tyre, të cilat do të shqyrtohen gjatë procesit të hartimit dhe finalizimit të buxhetit.
Në këto dëgjime ishin të pranishëm Nënkryetari i Komunës së Pejës, z.Fatmir Asllani dhe Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, z.Tahir Shala.
Zyrtarja Kryesore Financiare në Komunën e Pejës, znj.Hajrije Haxhijaj bëri të ditur se bazuar në Kornizën Afatmesme Buxhetore të Qeverisë, buxheti i ndarë për Komunën e Pejës për vitin 2027 është 44,119,678.00 euro.
Kjo shumë është e ndarë në pesë kategori buxhetore:
Paga dhe mëditje: 21,481,142.49 euro;
Mallra dhe shërbime: 4,985,490.00 euro;
Shpenzime komunale: 1,157,240.00 euro;
Subvencione dhe transfere: 1,930,626.00 euro;
Shpenzime kapitale: 14,565,179.51 euro.
Gjithashtu, u bë e ditur se Komuna e Pejës ende nuk e ka pranuar Qarkoren e Dytë Buxhetore, e cila pritet të sjellë të dhëna shtesë dhe mund të ndikojë në finalizimin e Projekt-Buxhetit për vitin 2027.
Dëgjimet publike për Projekt-Buxhetin e Komunës së Pejës janë organizuar nga Grupi Punues për Planifikimin e Buxhetit 2027–2029, në bashkëpunim me Drejtorinë për Buxhet dhe Financa.
Të gjitha kërkesat, propozimet dhe rekomandimet e
qytetarëve janë evidentuar dhe do të shqyrtohen gjatë procesit të hartimit dhe finalizimit të Projekt-Buxhetit të Komunës së Pejës për vitin 2027.







