Në Sheshin “Skënderbeu” u bë hapja e Tregut Mobil Bio, një iniciativë e re e Zyrës për Barazi Gjinore – Komuna e Pejës, që synon të krijojë mundësi konkrete për gratë prodhuese nga zonat rurale, të promovojë produktet vendore dhe të kontribuojë në fuqizimin ekonomik të grave dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.
Hapjen e tregut e bënë Zyrtarja për Barazi Gjinore, znj.Samka Drançolli dhe Drejtori për Zhvillim Ekonomik, z.Meriton Fetaj.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të tjerë të Komunës, si dhe znj.Havushe Bunjaku, udhëheqëse e Shoqatës “Agromedicine”.
Përmes këtij tregu, gratë prodhuese do të kenë mundësi t’i prezantojnë dhe shesin drejtpërdrejt produktet e tyre, ndërsa qytetarët do të kenë më afër produkte vendore të freskëta dhe të përgatitura me kujdes.
Tregu Mobil Bio do të organizohet çdo të enjte, në lokacione të ndryshme të qytetit të Pejës, duke krijuar një hapësirë të qëndrueshme për promovimin e prodhimit vendor dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse.
Iniciativa realizohet nga Zyra për Barazi Gjinore – Komuna e Pejës, në bashkëpunim me Shoqatën “Agromedicine”.
Zyra për Barazi Gjinore – Komuna e Pejës shpreh mirënjohjen për Shoqatën “Agromedicine” dhe të gjithë partnerët e përfshirë në realizimin e kësaj iniciative, për kontributin dhe bashkëpunimin në krijimin e mundësive të reja për gratë prodhuese dhe promovimin e produkteve vendore.















