Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar, Drejtoria për Mirëqenie Sociale e Komunës së Pejës, në bashkëpunim me Organizatën “Syri i Vizionit”, Organizatën Komunale të Pensionistëve dhe Këshillin Lokal për Moshën e Tretë, organizoi ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve “Pa Moshë”.
Në kuadër të kësaj ceremonie u vlerësuan me mirënjohje individë të cilët, përmes angazhimit dhe kontributit të tyre, kanë lënë gjurmë të rëndësishme në shoqëri dhe në komunitet.
Drejtoresha për Mirëqenie Sociale, Mujaj Bajraktaraj, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për një jetë dinjitoze, aktive dhe të sigurt për personat e moshuar, duke nënvizuar se kontributi i tyre ndër vite përbën një vlerë të çmuar për shoqërinë.
Ajo shprehu mirënjohjen për gjeneratat që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e komunitetit dhe theksoi përkushtimin e institucioneve për të fuqizuar mbështetjen dhe përfshirjen sociale të personave të moshuar.
Në ceremoni morën pjesë dhe përshendeten të pranishmit me një fjalë rasti edhe Vehbi Shala, Kryetar i Organizatës Komunale të Pensionistëve dhe Këshillit Lokal për Moshën e Tretë, Dr. Islam Husaj, përfaqësues i Komitetit për Moshën e Tretë, si dhe Naser Lajiqi, Menaxher i Programit në “Syri i Vizionit”.
Me mirënjohjen “Pa Moshë” u vlerësuan: Tush Krasniqi, Sebahate Qorkadiu, Gëzim Spahija, Dr. Drita Lokaj Maloku, Gjylfidane Mala dhe Nazmi Krasniqi, për kontributin dhe angazhimin e tyre të çmuar.
Në përfundim të ceremonisë, organizatorët falënderuan të gjithë të pranishmit dhe shprehën mirënjohjen për kontributin e personave të moshuar në ndërtimin dhe zhvillimin e komunitetit.
Komuna e Pejës mbetet e përkushtuar në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe kualifikimit si “Komunë mike” për persona të moshuar.

















