Komuna e Pejës është pjesë e 12 komunave partnere të projektit KOMOAL-PREP, të cilat po takohen për herë të parë së bashku në Tiranë, më 12–13 tetor 2026, për të shkëmbyer përvoja dhe për të forcuar bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të rreziqeve nga zjarret.
Në këtë punëtori, Komuna e Pejës përfaqësohet nga Drejtori për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim, z.Luan Voci, i cili po merr pjesë në diskutimet dhe aktivitetet, që synojnë avancimin e gatishmërisë institucionale dhe përmirësimin e koordinimit në situata emergjente.
Gjatë punëtorisë dyditore do të shqyrtohen dhe verifikohen vlerësimet e rrezikut nga zjarret dhe zonat me rrezik të lartë.
Gjithashtu, do të zhvillohet një simulim për paralajmërimin dhe veprimin e hershëm, si dhe do të diskutohen protokollet e komunikimit për reagim sa më efektiv ndaj situatave emergjente.
E përzgjedhur si komunë partnere nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), Komuna e Pejës e vlerëson këtë bashkëpunim, si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe për forcimin e kapaciteteve lokale në parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga zjarret.
Komuna e Pejës shpreh mirënjohjen për Bashkimin Evropian për financimin e projektit KOMOAL-PREP përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, duke kontribuar në rritjen e sigurisë, gatishmërisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional përtej kufijve.









