Komuna e Pejës ka pranuar një donacion nga Kontingjenti Italian i KFOR-it, përkatësisht nga Komanda Rajonale – Perëndim (RC-W), në mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve të Komunës së Pejës.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të donacionit ishin të pranishëm Komandanti i Kontingjentit Italian të KFOR-it, Kolonel Giuseppe De Blasi, Nënkryetari i Komunës së Pejës për Komunitete, z.Mirzet Dzogovic, Drejtori i Drejtorisë për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim, z.Luan Voci, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), z.Shefki Abdullahu dhe Komandanti i Zjarrfikësve të Komunës së Pejës, z.Butrint Lajçi.
Donacioni përfshin një autoveturë Ford Ranger, të pajisur me modul të integruar për shuarjen e zjarreve, vinç elektrik, drita sinjalizuese, pajisje ndriçuese dhe pajisje të tjera përcjellëse, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve operative dhe në përmirësimin e reagimit të zjarrfikësve në situata emergjente.
Ky donacion përbën një kontribut të rëndësishëm në fuqizimin e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe në rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës nga zjarret dhe fatkeqësitë e tjera.
Komuna e Pejës shpreh mirënjohjen e saj për Kontingjentin Italian të KFOR-it për këtë donacion dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në shërbim të sigurisë së qytetarëve.






