Komuna e Pejës dhe organizata Syri i Vizionit kanë nënshkruar Marrëveshje Partneriteti me qëllim të fuqizimit ekonomik të grave dhe personave me aftësi të kufizuara, përmes zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme, punësimit dhe mbështetjes së bizneseve familjare bujqësore.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri dhe Drejtori ekzekutiv i organizatës Syri i Vizionit, z.Veton Mujaj.
Në kuadër të këtij partneriteti, Komuna e Pejës do të ndajë 35,000 euro për mbështetjen e përfituesve shtesë nga komuna jonë, përmes granteve, që synojnë fillimin ose zgjerimin e bizneseve bujqësore.
Ky bashkëpunim realizohet në kuadër të projektit “Bujqësi e Qëndrueshme, Punësim dhe Shërbime të Përmirësuara Sociale për Gratë dhe Personat me Aftësi të Kufizuara – Seeds of Inclusion in Kosovo”, i cili zbatohet nga Syri i Vizionit në partneritet me Brot für die Welt, me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes fondeve të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, si dhe me bashkëfinancim nga Diakonie ACT Austria (DAA)/Brot für die Welt.
Projekti, i cili zbatohet në periudhën 1 korrik 2026 – 30 qershor 2029 në shtatë komuna të Kosovës, përfshirë Pejën, synon rritjen e mundësive për punësim dhe vetëpunësim, veçanërisht për gratë dhe personat me aftësi të kufizuara në zonat rurale, si dhe përmirësimin e shërbimeve sociale dhe mbështetjen e familjeve.
Kontributi i Komunës së Pejës prej 35,000 eurosh do të mundësojë përfshirjen e përfituesve shtesë nga komuna jonë, të cilët janë në listën e pritjes pas aplikimit në thirrjen për grante të projektit.
Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga komisioni vlerësues i projektit, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara, duke garantuar transparencë dhe trajtim të barabartë.
Përmes këtij partneriteti, Komuna e Pejës vazhdon të mbështesë iniciativa, që krijojnë mundësi për zhvillim ekonomik, përfshirje sociale dhe fuqizim të kategorive, që kanë nevojë për mbështetje, duke kontribuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.


