Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, më 11 Shkurt, Zyra për Barazi Gjinore e Komunës së Pejës, e udhëhequr nga znj.Samka Drançolli, në koordinim me Drejtorinë e Arsimit, organizoi një aktivitet edukativ dhe motivues në Shkollën Fillore “Pjetër Budi” në Poçestë, duke përfshirë vajza dhe djem nga klasa të ndryshme.
Nxënëset dhe nxënësit u frymëzuan të eksplorojnë fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), përmes eksperimenteve praktike nga kimia dhe fizika, të demonstruara nga mësimdhënëset Florie Shala dhe Ardiana Gashi, të cilat gjithashtu folën për rëndësinë e kimisë dhe fizikës në shkencë.
Në aktivitet mori pjesë edhe Qendra për Karrierë IAAP “Rifat Gjota”, ku mësimdhënësja znj.Mimoza Tanushi-Bardhi ndau përvojën e saj personale gjatë shkollimit dhe jetës, duke treguar sfidat, që ka hasur dhe si i ka kapërcyer, duke dhënë mesazhe motivuese për vajzat dhe djemtë e rinj.
Dy nxënëse të qendrës ofruan gjithashtu përvojat dhe mesazhet e tyre inspiruese.
Koordinatorja, znj.Venera Shala-Berisha theksoi rëndësinë e orientimit të hershëm në karrierë dhe mbështetjen e të rinjve në zgjedhjen e profesioneve shkencore.
Po ashtu, pjesëmarrëse ishte edhe Shkolla Digjitale në Pejë, e përfaqësuar nga themeluesja dhe drejtoresha, znj.Genta Çarkaxhija-Loci dhe dy kursistë, të cilët prezantuan shembuj praktikë të kodimit, dizajnit dhe lojërave edukative, duke treguar mundësitë, që ofron edukimi digjital për të rinjtë.
Znj.Drançolli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shkollave fillore, qendrave për karrierë dhe sektorit privat, në fuqizimin e vajzave dhe djemve, si dhe krijimin e mundësive të barabarta në shkencë dhe teknologji. Faleminderit Drejtorit të SHFMU “Pjetër Budi”, z.Addhe Krasniqi, mësimdhënësve dhe nxënësve për mikpritjen dhe kontributin e tyre në realizimin me sukses të këtij aktiviteti. Kur të rinjtë fuqizohen me shkencë dhe dije, e ardhmja bëhet më e ndritshme.

























