Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Pejës,
z.Gazmend Muhaxheri dhe në organizim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në Pejë u shënua me solemnitet dhe dinjitet 18-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Aktivitetet nisën me parakalimin festiv të nxënësve, për të vazhduar me performanca artistike në sheshin “Skënderbeu”, ku u prezantuan baleti dhe trupa profesionale e Teatrit “Istref Begolli”.
Ceremonia zyrtare e ngritjes së Flamurit Shtetëror dhe intonimi i Himnit të Republikës së Kosovës u zhvilluan në një atmosferë solemne.
Flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit nga dy prej figurave më të ndritura të sportit tonë, mjeshtrit të madh të xhudos, arkitektit të sukseseve olimpike të Kosovës, z.Driton Kuka dhe kampionia olimpike, krenaria jonë, që ka ngritur lart flamurin e shtetit në arenën botërore, znj.Distria Krasniqi.
Në kuadër të aktiviteteve, sot nga ora 13:00, në Galerinë e Arteve në Pejë do të bëhet hapja zyrtare e ekspozitës premierë të profesorit Luan Tashi, me titull “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, si dhe do të mbahet koncerti klasik me Orkestrën Frymore.
Urime 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!



































