Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, Shoqata e ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”-Koshare, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes” 2025, me rastin e 26 vjetorit të rënies së heronjve të Kosovës, Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala, në altarin e lirisë, në përkujtim të tyre dhe të gjithë dëshmorëve të Brigadës “Agim Ramadani” nga Komuna e Pejës kanë organizuar Akademi Përkujtimore.
Manifestimi “Ditët e Shqipes” ka për qëllim, që rëndësia e betejës së Koshares dhe madhështia e veprës së dëshmorëve të kësaj beteje dhe gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të pasqyrohet në kontekst të aktualitetit të kohës.
“Ditët e Shqipes” përfshijnë një numër të aktiviteteve, të cilat fillojnë me Manifestimin Qendror në Kompleksin Memorial në Koshare, më nëntë prill dhe vazhdojnë deri në ditën e çlirimit.
Në akademi u përkujtua jeta dhe vepra për lirinë e Kosovës e dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani” – Koshare, Xhemajl Fetahaj, Milazim Shala, Sali Çekaj, Fatos Ademaj, Gazmend Berisha, Kreshnik Ademaj dhe Shpëtim Bojku.
Gjatë akademisë përkujtimore u përcollën mesazhet e lirisë dhe sakrificës së dëshmorëve tanë, përmes kujtimeve dhe leximeve për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës.










