Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri priti në takim fermerët përfitues të fidanëve të mjedrës dhe diskutuan rreth rëndësisë së zhvillimit të kësaj kulture bujqësore dhe mbështetjes së vazhdueshme institucionale për fermerët.
Në këtë takim të pranishëm ishin Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Pejës, z.Tahir Shala, si dhe përfaqësues të Shoqatës së Mjedrës në nivel të Kosovës dhe në Pejë, të cilët diskutuan për rëndësinë e kultivimit të mjedrës dhe perspektivën e kësaj kulture.
Ky projekt përfshin gjithsej 2 hektarë tokë punuese, të ndarë për fermerët përfitues, ku secili ka përfituar nga 0.20 ha për kultivimin e mjedrës.
Gjatë takimit u theksua gatishmëria e komunës për të mbështetur fermerët e vyer dhe punëtorë përmes projekteve konkrete, me qëllim të rritjes së prodhimit bujqësor dhe përmirësimit të mirëqenies së familjeve në zonat rurale.
Kultivimi i mjedrës u vlerësua si një kulturë me potencial të madh ekonomik, e cila krijon mundësi të mira për rritjen e të ardhurave të fermerëve dhe zhvillimin e bujqësisë lokale.
Komuna do të vazhdojë të qëndrojë pranë fermerëve duke mbështetur iniciativa dhe projekte, që nxisin dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.



