Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri priti në takim Mrika dhe Arianit Nikçi, të cilët janë pjesë e Librit të Rekordeve Guinness, si babë e bijë, të cilët më së shpejti në histori kanë ngjitur shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve të botës, të njohura si Seven Summits.
Kryetari Muhaxheri theksoi s’e jemi krenar, që Mrika dhe Arianit Nikçi nga Peja kanë arritur një sukses kaq të madh dhe janë bërë pjesë e historisë botërore me punë, sakrificë dhe pasionin e madh për alpinizmin.
Ata e realizuan këtë sfidë për një vit dhe 202 ditë, prej datës 25 janar 2018 e deri me 15 gusht 2019 dhe ky vlerësim botëror konfirmon arritjen e jashtëzakonshme të dy alpinistëve shqiptarë, të cilët brenda vetëm kësaj periudhe kohore ngjitën majat më të larta të çdo kontinenti: Everest, Aconcagua, Denali, Kilimanjaro, Elbrus, Carstensz Pyramid dhe Vinson Massif.
Ky është një moment historik për Kosovën dhe shqiptarët, pasi për herë të parë emri i vendit tonë vendoset në Librin e Rekordeve Guinness për një arritje të këtij niveli në sportin ekstrem të alpinizmit dhe është një dëshmi e fuqishme e potencialit dhe vlerave, të cilat populli shqiptar i përfaqëson në botë.
Mrika Nikçi është femra më e re në botë, e cila i ngjiti këto maja, ndërsa Arianit Nikçi e udhëhoqi këtë rrugëtim si alpinist dhe prind i përkushtuar, duke dëshmuar s’e ëndrrat bëhen realitet përmes guximit, disiplinës, përkrahjes familjare dhe dashurisë për natyrën.