Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri dhe Drejtori Ekzekutiv i KLMC, z.Dardan Velija kanë nënshkruar marrëveshjen e kontributit ndërmjet Komunës së Pejës dhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është të përcaktojë angazhimet dhe kontributin financiar të Komunës në lidhje me rehabilitimin e deponisë së Pejës dhe mbylljen e deponisë në Istog, si dhe përgjegjësitë e tyre për të siguruar zbatimin e suksesshëm të projektit.
Komuna e Pejës do të kontribuojë në projekt me shumën prej 3,000,000 €, në këto këste si kontribut financiar, sipas përcaktimeve të kësaj marrëveshje:
1.1. 1,000,000 € në vitin 2026.
1.2. 2,000,000 € në vitin 2027.
Kontributi financiar i Bashkimit Evropian për qëllimet e projektit është 9,000,000 €.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës mjedisore, mbrojtjes së natyrës dhe rritjes së cilësisë së jetës për qytetarët.
Bashkë do të punojmë për të siguruar, që menaxhimi i mbetjeve të bëhet me standardet më të larta profesionale dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.