Në Qendrën Kreative “Dukagjini” në Pejë, u mbajt një aktivitet kulturor kushtuar ditëlindjes së poetit të madh Azem Shkreli, duke sjellë në vëmendje jetën, mendimin dhe trashëgiminë e tij letrare.
Fjalë rasti mbajtën Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, znj.Xhenet Syka, Drejtoresha e Bibliotekës “Azem Shkreli” në Pejë, znj.Shengyl Kelmendi dhe Drejtoresha e SHFMU “28 Nëntori” në Raushiq, znj.Florentina Fetahaj.
Aktiviteti u realizua përmes dramës artistike “Dialog me Azem Shkrelin”, e interpretuar nga nxënësit e SHFMU “28 Nëntori”, të cilët përmes fjalës artistike dhe skenës krijuan një bashkëbisedim simbolik me veprën dhe filozofinë poetike të Shkrelit.
Një pjesë e veçantë e aktivitetit ishte rubrika “Një fjali për Azem Shkrelin”, ku të pranishmit ndanë mendime, reflektime dhe vlerësime personale për poetin, duke dëshmuar ndikimin e vazhdueshëm të veprës së tij në kulturën dhe identitetin tonë letrar.
Ky aktivitet u organizua nga Biblioteka “Azem Shkreli” në bashkëpunim me nxënësit e SHFMU “28 Nëntori”, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë letrare të poetit dhe afrimit të brezave të rinj me artin dhe letërsinë shqipe.












