Takimi ndërmjet Kryetarit të Komunës së Pejës,
z.Gazmend Muhaxheri, Drejtorit për Bujqësi në Komunën e Pejës, z.Tahir Shala dhe përfaqësuesit të pikës grumbulluese AgroCelina, z.Afrim Rexhepi, u zhvillua me qëllim të arritjes së një dakordimi në parim për realizimin e një projekti të partneritetit publiko-privat.
Temë qendrore e diskutimit ishte projekti me titull “Kultivimi i perimeve kornishon dhe speca somborka në një sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh”,
i cili synon të mbështesë zhvillimin e bujqësisë lokale dhe rritjen e prodhimit vendor.
Projekti parasheh mbjelljen e rreth 150 mijë fidanëve, si dhe sigurimin e inputeve të nevojshme bujqësore, përfshirë pesticidet dhe mbështetjen teknike për kultivim.
Nga ky projekt pritet të përfitojnë rreth 30 fermerë nga Komuna e Pejës, të cilët do të angazhohen në kultivim në sipërfaqe prej 10 deri në 20 ari, si në sera ashtu edhe në fushë të hapur.
Ky bashkëpunim synon fuqizimin e fermerëve lokalë, rritjen e të ardhurave të tyre dhe krijimin e një zinxhiri të qëndrueshëm furnizimi për tregun.
Palët u dakorduan në parim për hapat e mëtejmë drejt konkretizimit të marrëveshjes, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat për zhvillimin ekonomik dhe bujqësor të komunës.




