
Në qytetin e Pejës dhe rrethinës gjendet një numër i madh i objekteve kulturo-historike, të cilat shprehin kulturën dhe traditën e kësaj komune, që nga kohërat ilire e deri në ditët e sotme. Ekzistojnë shumë objekte me vlera historike, siç janë: kullat e gurit, shtëpitë e vjetra, objektet religjioze, siç janë: xhamitë, kishat katolike dhe ortodokse, teqetë, pastaj hamami i Haxhi Beut, mulliri i Haxhi Zekës, kompleksi i Çarshisë së Vjetër, si dhe objekte të tjera që qytetit të Pejës i japin një histori të vjetër të zhvillimit në periudha të ndryshme kohore. Janë të gjitha këto objekte që karakterizohen me ndërtime arkitektonike nga mjeshtërit e kohërave të vjetra, të cilët kanë punuar ndërtime nga guri dhe druri. Prandaj, është e pashmangshme që të vizitohet qyteti i Pejës e të mos kalohet nëpër pika interesante, që të dërgojnë në kohëra të ndryshme.
Zhvillimi i hershëm i këtij qyteti ka ndikuar edhe në zhvillimin e kulturës dhe traditës së vjetër, duke u bartur nëpër kohëra deri në ditët e sotme. Veshja tradicionale është njëra nga motivet, që është ruajtur në mënyrë origjinale dhe vazhdon të ruhet edhe në ditët e sotme. Karakterizohet me ngjyrat bardhë e zi tek gjinia mashkullore, ndërsa tek gjinia femërore dominon edhe ngjyra e kuqe. Është mjaft e rëndësishme të përmendet edhe ruajtja e traditës së martesave në stilin e vjetër e që ende aplikohen, rendi dhe rregulli shtëpiak dhe mënyra e sjelljes në shtëpi, vallja tradicionale, përgatitja e ushqimeve tradicionale, kultura dhe tradita tjera.
ARTIZANATET
Qyteti i Pejës njihet qysh nga kohërat e hershme, si qytet tregtar dhe artizanal. Artizanatet më të njohura janë: argjendaria, punimi i qelesheve, farkëtaria, saraçët etj. Pra, ka një numër të madh të artizanateve, që janë punuar me një përkushtim të madh nga mjeshtërit, të cilët punën e tyre e kanë bartur brez pas brezi deri në ditët e sotme.
HOTELERIA DHE GASTRONOMIA
Tradita shumëvjeçare e këtij qyteti që ka pasur në lëmin e turizmit ka ndikuar që të ketë një numër të objekteve hoteliere, të cilat ofrojnë kushte të mira për akomodim dhe relaksim. Gastronomia është po ashtu një ndër elementet kryesore, që e veçojnë këtë qytet për nga mjeshtëria dhe tradita e të përgatiturit. Mund të shijoni ushqimin tradicional, i cili ofrohet në restorantet, që gjenden në pjesët më të bukura të qytetit, ku mbretëron qetësia dhe gjelbërimi rreth jush.
NATYRA DHE AMBIENTI
Komuna e Pejës njihet si qytet ekologjik me më se 70% të sipërfaqes të mbuluar me gjelbërim. Është regjioni malor i Rugovës , i cili e përbën pjesën më të madhe me gjelbërim, duke përfshirë mbi 52% të sipërfaqes dhe njëherit njihet edhe si freskia e qytetit të Pejës. Ka atraksione, bukuri dhe pasuri të shumta natyrore, duke u nisur nga Gryka piktoreske e Rugovës, lumenjtë, liqenet në lartësi prej 1860 m, burimet ujore, ujëvarat, shpellat, si dhe shumëllojshmëria e florës dhe faunës. Po ashtu, brenda qytetit, pothuajse në çdo kënd, ekzistojnë oazat e gjelbëruara, të cilat ia shtojnë bukurinë qytetit, mbajnë ajrin e freskët dhe mundësojnë relaksimin e qytetarëve.