Drejtoria për Administratë e Komunës së Pejës dhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi, me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të afërta dhe më efikase për qytetarët.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të funksionalizohet Zyra e Gjendjes Civile brenda hapësirave të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, duke u mundësuar prindërve regjistrimin e foshnjave të porsalindura drejtpërdrejt në ambientet e spitalit.
Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të procedurave administrative për familjet e reja, duke ofruar shërbime më të shpejta, më praktike dhe më të qasshme.
Drejtoria për Administratë do të sigurojë personelin, pajisjet dhe mbarëvajtjen e shërbimit, ndërsa Spitali i Përgjithshëm i Pejës do të ofrojë hapësirën e nevojshme për funksionimin e zyrës.
Përmes këtij bashkëpunimi institucional, Komuna e Pejës vazhdon angazhimin e saj për modernizimin e administratës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, me fokus të veçantë te nevojat e familjeve dhe të porsalindurve.



