Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Pejës, në Galerinë e Arteve në Pejë u hap ekspozita personale “Singulariteti” e artistit Gëzim Muriqi, nën kurimin e Skender Boshtrakajt.
Kjo ekspozitë, e organizuar nga Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, solli para publikut një cikël veprash artistike, që pasqyrojnë individualitetin krijues, dimensionet bashkëkohore të artit dhe qasjen unike të autorit ndaj realitetit dhe përjetimeve njerëzore.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, znj.Xhenet Syka e vlerësoi kontributin e artistit dhe rëndësinë e organizimit të aktiviteteve kulturore, të cilat pasurojnë jetën artistike të qytetit.
Ekspozita mblodhi artdashës, artistë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë, duke e shndërruar Galerinë e Arteve në një hapësirë të rëndësishme të dialogut kulturor dhe artistik.


























