Në Komunën e Pejës u mbajt takimi koordinues lidhur me procesin e Menaxhimit të Rrezikut, nën udhëheqjen e koordinatorit për Menaxhimin e Rrezikut, z.Egzon Kastrati.
Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri theksoi se Komuna e Pejës ka miratuar Rregulloren e Brendshme për Menaxhimin e Rrezikut, zbatimi i së cilës është përgjegjësi e të gjitha drejtorive komunale.
Gjatë takimit u trajtuan çështje, që ndërlidhen me rëndësinë e menaxhimit të rrezikut në kuadër të qeverisjes institucionale, me theks të veçantë në identifikimin, analizimin dhe vlerësimin e rreziqeve, si dhe në përcaktimin e masave përkatëse për parandalimin, trajtimin dhe minimizimin e tyre.
Po ashtu, u diskutua për përgjegjësitë institucionale të njësive organizative, rëndësinë e bashkërendimit ndërmjet drejtorive dhe nevojën për forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të proceseve të punës.
Qëllimi i takimit ishte avancimi dhe koordinimi i mëtejmë i procesit të Menaxhimit të Rrezikut në Komunën e Pejës, si dhe qartësimi i përgjegjësive dhe obligimeve të drejtorive në identifikimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve institucionale.








