Në Komunën e Pejës është prezantuar një sistem i ri digjital për menaxhimin e lëndëve të brendshme financiare, i cili synon të rrisë transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien në administratën komunale.
Drejtoresha për Administratë në Komunën e Pejës, znj.Nita Panduri Mullarama, ka prezantuar këtë platformë të re, e cila mundëson trajtimin e lëndëve në kohë reale dhe kalimin nga procedurat tradicionale në një menaxhim tërësisht digjital.
Ky transformim realizohet pa asnjë kosto shtesë për buxhetin e komunës.
Përmes kësaj databaze moderne, institucionet komunale do të kenë mundësi të ndjekin në çdo moment statusin e pagesave dhe procedurave përkatëse.
Gjithashtu, lëndët do të trajtohen sipas rendit kronologjik, duke eliminuar ndërhyrjet subjektive dhe duke garantuar një proces më të drejtë dhe transparent.
Ky hap përfaqëson një avancim të rëndësishëm drejt digjitalizimit të shërbimeve publike dhe përmirësimit të funksionimit të administratës komunale në shërbim të qytetarëve.









