Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri së bashku me Nënkryetarin e Komunës, z.Fatmir Asllani dhe Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, znj.Xhenet Syka kanë pritur në takim xhudisten e njohur nga Kosova, znj.Distria Krasniqi, e cila ishte e shoqëruar nga kryemjeshtri, z.Driton Kuka dhe trajneri, z.Fatos Tabaku.
Kryetari Muhaxheri e përgëzoi Krasniqin për suksesin e saj të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, ku ajo ka arritur të fitojë medaljen e artë në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili është mbajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Në këtë kampionat kanë marrë pjesë rreth 400 garues nga 46 shtete, duke e bërë këtë sukses edhe më domethënës për sportin kosovar.
Kryetari Muhaxheri vlerësoi lart përkushtimin, disiplinën dhe punën e palodhshme të Distria Krasniqit, duke theksuar se arritjet e saj janë një frymëzim i madh për të rinjtë e Komunës së Pejës dhe më gjerë.
Ai gjithashtu ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të komunës për sportistët dhe zhvillimin e sportit në përgjithësi.










