Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri me bashkëpunëtorë priti në takim Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), z.Dardan Velija me bashkëpunëtorë, ku u diskutua për situatën e krijuar pas zjarrit në Deponinë Rajonale të Pejës dhe hapat e nevojshëm për tejkalimin e saj.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkërendimit institucional për menaxhimin e situatës emergjente.
KMDK shprehu gatishmërinë për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme profesionale dhe teknike për NPL Ambienti, si operator përgjegjës për menaxhimin e deponisë, në mënyrë që situata të stabilizohet sa më shpejt dhe të minimizohen ndikimet në mjedis dhe te qytetarët.
Në takim u diskutua edhe për projektin strategjik të rehabilitimit të Deponisë Rajonale të Pejës, të cilin është duke e zhvilluar KMDK.
Deri më tani është përfunduar dizajni konceptual, ndërsa është në zhvillim e sipër dizajni i detajuar i projektit.
Financimi për rehabilitimin është siguruar nga Bashkimi Evropian, Komuna e Pejës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërsa procedurat e prokurimit janë në zhvillim me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).
Palët vlerësuan se rehabilitimi i deponisë përbën zgjidhjen afatgjatë për eliminimin e rreziqeve mjedisore dhe për krijimin e një infrastrukture moderne, që do të përmbushë standardet evropiane të menaxhimit të mbeturinave.
KMDK theksoi se gjatë viteve të fundit ka ndërtuar kapacitete të avancuara profesionale dhe teknike në planifikimin, projektimin dhe menaxhimin e deponive sanitare, duke u shndërruar në institucionin qendror për zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.
Këto kapacitete do të vihen plotësisht në funksion për të mbështetur procesin e rehabilitimit të deponisë dhe për të ofruar ekspertizën e nevojshme për menaxhimin e situatës aktuale.
Kryetari Muhaxheri dhe Kryeshefi Ekzekutiv i KMDK-së Velija, u dakorduan, që bashkëpunimi ndërinstitucional të vazhdojë me intensitet të shtuar, me qëllim të tejkalimit sa më të shpejtë të situatës emergjente dhe realizimit të projektit të rehabilitimit, në interes të qytetarëve të Pejës dhe mbrojtjes së mjedisit.