Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri me bashkëpunëtorë priti në takim Presidentin e Indian Economic Trade Organisation (IETO), z.Asif Iqbal.
Gjatë takimit u diskutua për organizimin e Konferencës së Investitorëve, e cila do të mbahet në muajin nëntor në Pejë.
Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë delegacione ndërkombëtare, të cilat do të prezantojnë mundësitë e investimeve dhe projektet e tyre. Po ashtu, u trajtua edhe bashkëpunimi me komunat e rajonit.
Gjithashtu, u diskutua për zhvillimin e projekteve në mbështetje të të moshuarve dhe për realizimin e filmimeve me qëllim krijimin e një filmi apo dokumentari për Kosovën, i cili do të kontribuonte në forcimin e partneriteteve ndërmjet shteteve.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, me fokus shkëmbimin e përvojave, mbështetjen e projekteve shëndetësore dhe avancimin e shërbimeve për qytetarët.
Në takim u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit me universitetet, me fokus shkëmbimin e përvojave, projekteve dhe programeve të përbashkëta në fushën e arsimit.






