U mbajt mbledhja e tretë e Mekanizmit Koordinues Lokal për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Bazë Gjinore (MKDHF), e udhëhequr nga znj.Samka Drançolli, Koordinatore e Mekanizmit Koordinues Lokal dhe Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës.
Gjatë mbledhjes u diskutua për aktivitetet dhe angazhimet e realizuara ndërmjet takimeve, situatën aktuale dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në bazë gjinore.
Gjithashtu, u trajtua planifikimi dhe koordinimi i aktiviteteve në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, me synim forcimin e veprimeve të përbashkëta dhe ndërgjegjësimit publik.
Në kuadër të agjendës, u prezantuan të gjeturat kryesore të fokus-grupit me gra nga komuniteti boshnjak dhe komuniteti serb në Pejë, të realizuar në kuadër të projektit “Women and Access to Justice: From Lived Experiences to Institutional Change”, nga përfaqësueset e organizatës Žensko Pravo.
Prezantimi u përqendrua në përvojat e grave nga komunitetet joshumicë dhe sfidat e tyre në qasjen në drejtësi.
Në shenjë solidariteti dhe ndërgjegjësimi, anëtarët e MKDHF-së realizuan një fotografi të përbashkët në kuadër të Tetorit Rozë, duke përcjellë mesazhin për rëndësinë e kujdesit për shëndetin e grave, kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Mekanizmi Koordinues Lokal vazhdon të shërbejë, si hapësirë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim koordinimin e veprimeve, adresimin e sfidave dhe forcimin e mbrojtjes së grave dhe vajzave nga dhuna.
Komuna e Pejës, përmes Zyrës për Barazi Gjinore dhe bashkëpunimit me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në avancimin e barazisë gjinore, parandalimin e dhunës dhe promovimin e qasjes së barabartë në mbrojtje dhe drejtësi.


