Sot, pranë objektit të Kadastrës në Pejë, u zbulua një mural kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në ceremoninë e zbulimit morën pjesë Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, Ambasadori i Francës në Kosovë, z.Olivier Guérot, si dhe ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Atifete Jahjaga.
Elementi qendror i muralit është broshi simbolik, i qendisur nga vetë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilët janë pjesë e qendrës në Drenas.
Ky brosh është simbol i Muzeut “Çast”, i dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe i themeluar nga Fondacioni Jahjaga me mbështetjen financiare të Ambasadës Gjermane.
Realizimi i këtij murali vjen në nderim të Ditës Ndërkombëtare të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale në Konflikt, e cila shënohet më 19 qershor, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm kujtese, dinjiteti dhe solidariteti për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.










