Në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës janë nënshkruar kontratat me 111 fermerë përfitues të projektit për furnizim me mekanizëm bujqësor dhe serra, i cili po realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Pejës dhe organizatës Islamic Relief – Zyra në Kosovë.
Përfituesit do të mbështeten me freza 1.8 m dhe 2.0 m, makina mbjellëse, rotokosa dhe serra.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave, të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, z.Tahir Shala dhe Zëvendësdrejtoresha e Islamic Relief në Kosovë, znj.Albulena Gashi Hajrullahu.
Ky projekt synon fuqizimin e sektorit bujqësor, rritjen e kapaciteteve prodhuese të fermerëve, si dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Komunën e Pejës.














