Drejtoresha për Mirëqenie Sociale, znj.Albulena Mujaj Bajraktaraj, Udhëheqësi i Agjensionit të Punësimit, z.Blerim Hasani dhe U.D. udhëheqësja e Zyrës së Punësimit në Pejë, znj.Besiana Lluka kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në fushën e punësimit, aftësimit profesional dhe fuqizimit ekonomik të viktimave/të mbijetuarave të dhunës në familje.
Ky memorandum synon të krijojë një kornizë të përbashkët bashkëpunimi për lehtësimin e qasjes në tregun e punës, ofrimin e këshillimit dhe orientimit profesional, si dhe informimin për mundësitë e punësimit dhe programet e aftësimit profesional.
Përmes këtij bashkëpunimi, palët angazhohen të kontribuojnë në rritjen e pavarësisë ekonomike, riintegrimin dhe fuqizimin e viktimave/të mbijetuarave të dhunës në familje, duke i kushtuar rëndësi të veçantë sigurisë, dinjitetit, privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale të tyre.
Një element i rëndësishëm i memorandumit është krijimi i një mekanizmi të veçantë të referimit për punësim, i cili do të mundësojë koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe ofrim të shërbimeve sipas nevojave individuale të secilës përfituese.