Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Peja”
Një javë e pasur me krijimtari letrare, vlera kulturore dhe shkëmbim ndërkombëtar u përmbyll në Pejë me ndarjen e Çmimit Ndërkombëtar “Azem Shkreli”, i cili iu nda akademik Ali Aliut nga Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri.
Ky çmim përbën një vlerësim të veçantë për kontributin e akademik Ali Aliut në fushën e studimit dhe të kritikës letrare, si dhe për vlerat e çmuara intelektuale, që ai ka sjellë në zhvillimin e mendimit letrar shqiptar.
Juria profesionale e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Peja” ishte në këtë përbërje:
Prof.Lulzim Tafa – kryesues i jurisë;
Prof.Naime Beqiraj – anëtare e jurisë;
Valon Shkreli – anëtar i jurisë.
Festivali mirëpriti mysafirë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, studiues, shkrimtarë dhe krijues, duke e shndërruar Pejën në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës, letërsisë dhe dialogut ndërkombëtar.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe znj.Cheryl Falzon, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Maltës, prania e së cilës i dha një dimension të veçantë ndërkombëtar këtij aktiviteti kulturor.
Mirënjohje e veçantë për prof.Fatbardh Gashin, dekan i Fakultetit të Arteve, për kontributin artistik dhe interpretimet e tij, të cilat pasuruan programin e festivalit.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës ju sjell fotoreportazhin nga kjo javë e veçantë kulturore, e cila dëshmoi edhe njëherë rolin e Pejës, si qendër e rëndësishme e kulturës, letërsisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.



















