Në sheshin e qytetit në Pejë u hap Panairi i Produkteve Pyjore Jodrusore, Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, si dhe Produkteve të Bletarisë, i organizuar nga Zyra për Barazi Gjinore e Komunës së Pejës, në bashkëpunim me CNVP Foundation dhe me mbështetjen e Qeverisë së Suedisë.
Ky panair synon të fuqizojë ekonomikisht gratë duke u ofruar atyre mundësinë për të promovuar dhe prezantuar produktet e tyre vendore, si dhe për të rritur dukshmërinë e punës dhe angazhimit të tyre në zhvillimin ekonomik lokal.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 22 gra dhe vajza nga zona të ndryshme të Komunës së Pejës, të cilat i prezantuan produkte pyjore jodrusore, bimët mjekësore e aromatike, si dhe produktet e bletarisë, duke dëshmuar potencialin dhe rëndësinë e sipërmarrjes së grave në zhvillimin e ekonomisë lokale.
Aktiviteti u realizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Komunës së Pejës dhe CNVP Foundation, partner në mbështetjen e iniciativave, të cilat promovojnë fuqizimin ekonomik të grave, zhvillimin rural dhe promovimin e produkteve vendore.
Në hapjen e panairit morën pjesë Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të CNVP Foundation, Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve të tjerë.
Panairi do të jetë i hapur deri në orët e mbrëmjes dhe qytetarët janë të mirëpritur ta vizitojnë, duke mbështetur gratë sipërmarrëse, prodhimin vendor dhe zhvillimin e ekonomisë lokale



















