Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri në bashkëpunim me kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, kanë organizuar aktivitete përkujtimore me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit Shqiptar.
Aktivitetet filluan në qendër të qytetit me ngritjen solemne të flamurit kombëtar dhe shtetëror, për të vazhduar me homazhe pranë shtatores së Shkëlzen Haradinajt dhe obeliskut të dëshmorëve të Komunës së Pejës.
Në këto aktivitete morën pjesë përfaqësues institucionalë, familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës së UÇK-së dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan me respekt të lartë sakrificën e të rënëve për liri.
Gjatë ditës, homazhe do të bëhen edhe në të gjitha varrezat e dëshmorëve në territorin e komunës, duke përkujtuar me nderim të përhershëm veprën dhe kontributin e tyre.
Në orën 18:00, në kinoteatrin “Jusuf Gërvalla”, do të mbahet akademi solemne, ku do të theksohet rëndësia historike e kësaj dite dhe do të vlerësohet lart sakrifica e dëshmorëve të kombit shqiptar.

























