Një premierë që solli art, reflektim dhe duartrokitje në skenën e Pejës!
Teatri Profesionist “Istref Begolli” në Pejë solli të hënën para publikut premierën e shfaqjes “Ekspozita”, bazuar në tekstin e dramaturgut çek Václav Havel, me regji të Agon Myftarit.
Të martën dhe të mërkurën, shfaqja vazhdon të prezantohet përmes reprizave në Galerinë e Arteve në Pejë, nga ora 19:00, duke u ofruar artdashësve mundësinë të ndjekin një shfaqje, e cila përmes humorit, ironisë dhe absurdit trajton në mënyrë kritike fasadën e përsosmërisë, marrëdhëniet njerëzore dhe kontradiktat e jetës së përditshme.
Në këtë shfaqje interpretojnë aktorët Agon Bala, Fitore Broqi dhe Luan Daci, ndërsa në realizimin e saj kontribuuan edhe profesionistë të tjerë të fushave artistike dhe teknike.
Komuna e Pejës shpreh mirënjohje për regjisorin, aktorët, ekipin krijues dhe teknik, si dhe për të gjithë ata, që kontribuuan në realizimin e kësaj shfaqjeje.
Falënderim i veçantë për publikun, i cili me praninë dhe duartrokitjet e tij e mirëpriti shfaqjen dhe e bëri këtë premierë edhe më të veçantë.
Shfaqja “Ekspozita” është pjesë e programit kulturor “Velloja e Nëntorit 2026”, organizuar nga Komuna e Pejës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.
Kultura dhe arti mbeten pjesë e rëndësishme e identitetit dhe jetës kulturore të Pejës!





