Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, në bashkëpunim me Njësinë për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, organizoi sesion informues me mësimdhënësit dhe psikologët e shkollave të Komunës së Pejës, me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe informimit lidhur me parandalimin dhe identifikimin e rasteve të trafikimit me njerëz.
Të pranishmëve u dëshiroi mirëseardhje zyrtarja për Barazi Gjinore në Komunën e Pejës, znj.Samka Drançolli, e cila theksoi rëndësinë e informimit, vetëdijesimit dhe bashkëpunimit në parandalimin e trafikimit me njerëz, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm, që kanë mësimdhënësit dhe psikologët në identifikimin dhe adresimin me kohë të rasteve të mundshme.
Në vazhdim, rreshterja e Njësitit për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, znj.Lindita Pajaziti, si dhe hetuesit policorë të Njësitit për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, z.Artan Sadiku, z.Luan Shala dhe z.Blerim Seferi, prezantuan çështje, që lidhen me parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz në Kosovë, duke u fokusuar veçanërisht në identifikimin e hershëm të viktimave.
Gjatë sesionit u trajtuan format e trafikimit me njerëz, mënyrat e identifikimit të viktimave, mekanizmat e raportimit, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, veçanërisht në mbrojtjen e fëmijëve dhe grupeve të cenueshme.
Ky sesion kishte për qëllim fuqizimin e rolit të mësimdhënësve dhe psikologëve në identifikimin e hershëm të rasteve të mundshme, si dhe avancimin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz.






