Pas nënshkrimit të kontratave me organizatat joqeveritare përfituese të subvencioneve për vitin 2026, të përzgjedhura në kuadër të thirrjes publike për mbështetjen e OJQ-ve me karakter social, Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës po vazhdon me zbatimin e projekteve të mbështetura.
Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, znj.Albulena Mujaj Bajraktaraj priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës ASD Peja dhe përfituesit e projektit për mbështetjen e fëmijëve me diabet të tipit 1.
Drejtoresha Mujaj Bajraktaraj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave joqeveritare, duke vlerësuar se projekte të tilla japin një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e mirëqenies dhe cilësisë së jetës së fëmijëve dhe familjeve, që përballen me diabetin e tipit 1, si dhe përkushtimin e Komunës së Pejës për të vazhduar mbështetjen e iniciativave, që ofrojnë shërbime dhe përkrahje për këtë kategori.
Shoqata Asociacioni i të Sëmurëve nga Diabeti në Pejë (ASD Peja) është përfituese e projektit “Menaxhimi dhe mbështetja për qytetarët me diabet, me fokus të veçantë te fëmijët”.
Në kuadër të projektit të realizuar në bashkëpunim me Shoqatën ASD Peja, Komuna e Pejës ka mundësuar pajisjen e 10 fëmijëve me diabet të tipit 1 me sensorë për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (CGM).
Kjo teknologji u mundëson atyre monitorimin e nivelit të glukozës në gjak gjatë gjithë ditës dhe natës, pa pasur nevojë për shpime të shpeshta të gishtit, duke e bërë menaxhimin e diabetit më të lehtë, më të sigurt dhe duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.





