Drejtoria për Mirëqenie Sociale e Komunës së Pejës, në bashkëpunim me organizatën OFAP, organizoi një takim sensibilizues për qytetarë, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e strehimit familjar dhe rolin e familjeve strehuese në ofrimin e një mjedisi të sigurt, të ngrohtë dhe mbështetës për fëmijët në nevojë për përkujdesje.
Gjatë takimit, Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, znj.Albulena Mujaj Bajraktaraj i informoi të pranishmit lidhur me mundësinë, që familjet të bëhen pjesë e procesit të strehimit familjar, kriteret dhe përgjegjësitë, që duhet të përmbushin familjet strehuese, si dhe mbështetjen profesionale, që ofrohet gjatë gjithë këtij procesi.
Në takim u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm, të sigurt dhe të përshtatshëm për zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e fëmijëve, të cilët kanë nevojë për përkujdesje dhe mbështetje.
Ftojmë të gjitha familjet e interesuara, që të paraqiten në Qendrën për Punë Sociale për t’u informuar, si të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm, duke kontribuar në krijimin e mundësive më të mira për fëmijët, që kanë nevojë për përkujdesje, dashuri dhe mbështetje.




