U mbajt takimi i Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës në Komunën e Pejës, me fokus në Draftimin e Planit të Dytë të Veprimit të Ekipit për të Drejtat e Fëmijës.
Në takim u diskutuan dhe u përcaktuan prioritetet, objektivat dhe aktivitetet konkrete, që synojnë mbrojtjen, promovimin dhe realizimin e të drejtave të fëmijëve, duke vënë theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional.
Në takim morën pjesë Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, znj.Albulena Mujaj Bajraktaraj, Drejtori për Arsim në Komunën e Pejës, z.Naser Gega, anëtarë të Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës dhe përfaqësues të institucioneve relevante.
Zëvendëskryesuesja e Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës, znj.Albulena Mujaj Bajraktaraj theksoi rëndësinë e hartimit të një plani të qëndrueshëm dhe të zbatueshëm, i cili do të reflektojë nevojat dhe interesat më të mira të fëmijëve dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për veprimet e përbashkëta të institucioneve lokale.
Po ashtu, theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional në krijimin e mundësive dhe kushteve të barabarta për çdo fëmijë, duke vënë në pah se mbrojtja dhe mirëqenia e fëmijëve mbeten një ndër prioritetet e Komunës së Pejës.
Takimi shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt finalizimit të Planit të Dytë të Veprimit të Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës, duke riafirmuar përkushtimin institucional për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Komunën e Pejës.




